Kultivimi i lëndëve narkotike në ambiente të mbyllura, të njohura si “shtëpi bari” po gjen përhapje në vendin tonë.
Së fundmi një rast i tillë është zbuluar në Tropojë. Policia vendore Kukës në njoftim zyrtar bën me dije se është finalizuar operacioni i koduar “Valbona”. Në kuadër të këtij operacioni u bë i mundur lokalizimi dhe ndërhyrja në banesën e shtetasit 43 vjec pasi njëra prej dhomave ishte përshtatur për të kultivuar bimë narkotike, me anë të llambave, që furnizoheshin me lidhje të paligjshme të energjisë elektrike.Në këtë ambient, shërbimet e Policisë ,gjetën dhe sekuestruan fidanë të dyshuar narkotikë kanabis, 500 gramë lëndë të dyshuar narkotike kanabis, 34 llamba dhe pajisje të ndryshme elektrike, që shërbejnë për kultivimin e bimëve narkotike në ambiente te mbyllura.
Në kërkim është shpallur pronari i banesës banues në Shoshan. Ndërsa elektricisti i zonës, i identifikuar nga policia është vënë nën hetim për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës” pasi në banesë u konstatuan lidhje të paligjshme të energjisë elektrike në dhomën që kultivohej kanabisi.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tropojë, për veprime të mëtejshme.